Ballina Flash

Rrezik i ulët nga koronavirusi/ OBSH vlerëson masat e marra nga Shqipëria për mbrojtjen nga virusi

Tiranë, 14 shkurt/ATSH/  “Shqipëria ka ndërmarrë masa të cilat ne si Zyrë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i mbështesim plotësisht, pavarësisht se vendi juaj nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19 dhe rreziku është i ulët”.

Drejtori i Programit të Emergjencave Shëndetësore për Ballkanin, në OBSH,  Abebayehu Mengustu mbështeti hapat e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë vizitës në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku ndoqi nga afër masat e marra në nivelin e parë të shërbimit.

“Zyra e OBSH do të japë mbështetje teknike për të gjitha vendet e Ballkanit dhe mbështetje sa i takon mjeteve mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme”, -tha  Mengustu.

Ndër masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë është trajnimi deri tani i 475 punonjësve të sistemit shëndetësor dhe vijon trajnimi kaskadë nga ekipet e urgjencës kombëtare, epidemiologët në të gjithë vendin. Janë menaxhuar në kohë reale nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, 6 raste me historik udhëtimi në Kinë, të cilët janë testuar nga Laboratori i virologjisë në ISHP dhe asnjë prej tyre nuk rezultoi me koronavirus, ndërkohë prej tyre kanë rezultuar vetëm 2 raste me grip. Mbështetur në survejancën e ngritur në pikat kufitare tëtë gjitha niveleve është kryer vlerësim i 180 shtetasve të cilët kanë hyrë në Shqipëri nga momenti i vendosjes në ALERT dhe kanë pasur histori udhëtimi me Kinën, nga të cilët vetëm 88 persona janë vlerësuar nga Aeroporti i Rinasit dhe asnjë nga këta udhëtarë nuk ka paraqitur shenja klinike të koronavirusit të ri në momentin e vlerësimit në nivel kufitar.

Shqipëria ka kapacitetet dhe është e përgatitur për një situate të mundshme të prekjes nga koronavirusi i ri dhe kjo është vlerësuar edhe në raportin e fundit mbi Indeksin Global të Sigurisë Shëndetësore i publikuar nga “The Economist”, Shqipëria renditet në vendin e 39 për sigurinë shëndetësore, ndër 195 vende të vlerësuara.

Ndërsa sa i takon specifikave, si zbulimit të hershëm dhe reagimit të shpejtë ndaj epidemive, në një situatë ku të gjitha vendet janë të angazhuara me masat per koronavirusin e ri, Shqipëria është renditur në vendin e 25 duke lënë pas vende si Austria, Kroacia, etj. z.tosku/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVetëdeklarimi i burimit të pasurisë/ “Forca e Ligjit” u nis formularin 2 të dënuarve në Elbasan
Artikulli tjetërFOKUS – Zyrtarë të lartë të politikës botërore në Konferencën e Sigurisë