TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, së bashku me kreun e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, pritën në një takim dy zyrtarë të lartë në fushën e ligjit dhe trafikut në Ministrinë Federale të Transportit në Berlin, Guido Zielke dhe Renate Bartelt-Lehrfeld.
Sipas zv/ministrit Shkreli vizita ka si qëllim informimin nga afër të palës gjermane me procesin e trajnimit dhe të testimit për marrjen e lejes së drejtimit në Shqipëri.
Një pikë tjetër e rëndësishme ishte edhe kërkesa e Republikës së Shqipërisë për njohjen dhe konvertimit e lejeve të drejtimit shqiptare në Gjermani.
Pala gjermane u njoh në terma të përgjithshme me investimet e ndërmarra nga DPSHTRR mbështetur nga MIE, për garantimin e kualifikimit dhe prodhimit të lejeve të drejtimit sipas parametrave të BE-së.
“Një takim i rëndësishëm me qëllim vijimin e vlerësimit të mëtejshëm të kërkesës së Republikës së Shqipërisë për njohjen e konvertimit të lejeve të ndërtimeve shqiptare në Gjermani. Proces i cili ndihmon rreth 30,000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani”,- bëri të ditur drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja. /a.gjonaj/














