TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Pas protestës së banorëve, bashkia e Durrësit përmes reagimit zyrtar ka dhënë sqarime duke theksuar se pallati në të cilën ata jetojnë ka dëme në muraturë dhe jo në strukturë.
Bashkia e duhur ka bërë të ditur se nuk ka nevojë për një ekspertizë të thelluar pasi dëmtimet nga tërmeti në këtë pallat i përkasin shkallës DS3.
“Pallati në rrugën “Anton Xanoni” për të cilin banorët kanë dalë në protestë ka një dëmtim të shkallës DS3, pra, dëmtime në muraturë dhe jo në konstrukt. Për këtë arsye nuk kalon për eskpertizë të thelluar”, -thuhet në reagimin zyrtar të bashkisë së Durrësit.
Ndërkaq, banorëve të këtij pallati u është bërë apel për të aplikuar në programin e rindërtimit.
“Bashkia fton banorët e këtij pallati, që të aplikojnë online në njësinë administrative përkatëse për të përfituar nga programi i rindërtimit. Pas aplikimit, ekspertët do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të këtij pallati dhe më pas do të bëhet financimi për riparimin e dëmeve.E njëjta thirrje, që të aplikojnë në platformën e rindërtimit, qëndron edhe për të gjithë banorët, godinat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Sportelet e aplikimit online janë të hapura çdo ditë nga e hëna në të diel nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 18.00. Në çdo sportel është stafi i trajnuar për të asistuar qytetarët”, -thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar.
Referuar të dhënave zyrtare të bashkisë së Durrësit, numri i aplikimeve online deri tani ka shkuar në mbi 2500. z.tosku/






















