Programi i Rindërtimit/ Publikohen hartat e lagjeve të reja në Shijak, Laç e Thumanë

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Hartat me tri zonat e reja në bashkitë ku do të rindërtohen banesat e dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, Shijaku, Laçi dhe njësia administrative e Thumanës janë publikuar në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i marrë nga qeveria në kuadër të Programit të Rindërtimit u botua në Fletoren Zyrtare duke hyrë në fuqi.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të jetë njësia zbatuese për rindërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike në Shijak dhe në Thumanë, ndërsa për Laçin përcaktohet Enti Kombëtar i Banesave.

Sipas vendimit për zonën e Thumanës, janë specifikuar edhe hartat dhe koordinatat. Fondi Shqiptar i Zhvillimit caktohet si njësi zbatuese për këtë zonë, për: ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara; ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike; realizimin e ndërtimeve në këtë zonë; çdo ndërhyrje tjetër, në  funksion të rindërtimit të kësaj zone.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, bashkia Krujë dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Në vendimin për Shijakun shpallet zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, “Zonë të re për zhvillim” të zonës 1, njësia administrative Shijak, bashkia Shijak, sipas hartës dhe koordinatave të publikuara në Fletoren Zyrtare. Fondi Shqiptar i Zhvillimit caktohet si njësi zbatuese për këtë zonë, sikundër ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, bashkia Shijak dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Edhe për njësinë administrative Laç, bashkia Kurbin jepen harta dhe koordinatat. Enti Kombëtar i Banesave caktohet si njësi zbatuese për këtë zonë: për të bërë kërkesën për nisjen e procesit për shpronësimin dhe/ose shkëmbimin në zonën e re për zhvillim, sipas parashikimeve të legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Enti Kombëtar i Banesave, bashkia Kurbin dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit, Këshilli i Ministrave njoftoi ndërtimin e lagjeve të reja edhe në Durrës e Tiranë.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.