POLONI – Duda: E vërteta nuk duhet të vdesë

VARSHAVË, 27 janar /ATSH/ – Në një mesazh për 75-vjetorin e çlirimit të kampit nazist të Aushvicit, presidenti i Republikës së Polonisë, Andrzej Duda thekson me forcë se e vërteta nuk duhet të vdesë.

”Më 27 janar 1945, ushtarët sovjetikë çliruan kampin nazist të vdekjes në Aushvic. Ajo çfarë ata zbuluan vazhdon të mbjellë terror dhe të nxjerrë dënim të qartë moral edhe sot”, thuhet në këtë mesazh.

”Atëherë, rreth 7 000 të burgosur rimorën lirinë e tyre… Ata që kishin mbetur në kamp nuk ishin asgjë veç hije njerëzish, të gjymtuar përgjithmonë nga tortura të paimagjinueshme fizike dhe mendore. Ata mbijetuan mrekullisht nga kushtet çnjerëzore të jetesës, uria, ngrica, sëmundja, skllavëria, rrahjet e pamëshirshme, poshtërimi dhe abuzimi nga xhelatët. Disa prej tyre janë viktima të eksperimenteve mjekësore kriminale”, shton ai.

”Ky është vetëm një përshkrim i shkurtër i ferrit në tokë nga kampi i përqendrimit Aushvic, që ishte vendi ku u masakruan një milion hebrenj dhe mijëra viktima të kombeve të tjera. Gjithçka që dimë duhet të kalohet te brezat e rinj, pavarësisht hidhërimit që shkaktojnë. Duhet ta ndërtojmë të ardhmen e botës bazuar në një kuptim të thellë të asaj çfarë ndodhi më shumë se 75 vite më parë në zemër të Europës”, thekson Duda.

”E vërteta për Holokaustin nuk duhet të vdesë. Nuk duhet të shtrembërohet ose përdoret për ndonjë qëllim. Në emër të kujtesës së shenjtë të asgjësimit të hebrenjve dhe respektit të viktimave të tjera të totalitarizmit të shekullit XX nuk mundemi, dhe nuk do ta harrojmë. Nuk do të ndërpresim përpjekjet tona për ta bërë botën ta kujtojë këtë krim. Në mënyrë që diçka e tillë të mos ndodhë përsëri”, shtohet në mesazh.

”Historia e hebrenjve në Poloni dhe bota e tyre e asgjësuar, tregohet tani përmes botimeve dhe konferencave shkencore, festivale, ekspozitave, koncerteve dhe monumenteve, të sponsorizuara nga institucionet shtetërore shkencore dhe kulturore si muzetë, teatrot, arkivat dhe bibliotekat. I mbështesim këto veprime sepse nazizmi nuk mund të ketë fjalën e fundit në rrëfimin e hebrenjve polakë dhe martirizimin e tyre.

Me këtë frymë, do të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përvjetori i çlirimit të Aushvicit është përkujtuar për 50 vite. Në 75-vjetorin e përfundimit simbolik të shfarosjes, ne do të dëshmojmë për të vërtetën. Së bashku do të bëjmë thirrje për paqe, drejtësi dhe respekt mes kombeve”, përfundon mesazhi i presidentit polak, Andrzej Duda./ /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.