Tryeza e reformës zgjedhore/ Bylykbashi: Në qendër masat që synojnë ndarjen e shtetit nga politika

TIRANË, 27 janar /ATSH/ -Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se në qendër të diskutimeve të tryezës së reformës zgjedhore janë të gjitha masat që synojnë ndarjen e shtetit nga politika.

“Siç është rënë dakord në Këshillin politik sot ne miratuam axhendën e reformës zgjedhore duke përcaktuar dhe afate përgjatë këtij procesi kur do të ketë kontribute dhe miratim të paketave të ndryshme”, tha Bylykbashi në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së sotme të tryezës për reformën zgjedhore.

“Ajo që ka rëndësi është që me këtë dokument të sotëm dhe metodologjinë që ai përfshin, fillon i hapet rruga punës konkrete për të diskutuar dhe miratuar propozime për reformën zgjedhore”, tha Bylykbashi.

“Opozita është e angazhuar maksimalisht për të ecur me shpejtësi me drafte me propozime konkrete duke marrë në konsideratë dhe punën që është bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në kohën kur opozita ishte palë e atij Komisioni”, u shpreh ai.

Bylykbashi shtoi se, “ajo që ka rëndësi të thuhet është që dokumenti i sotëm përfshin të gjitha çështjet që kemi ngritur politikisht në Këshillin Politik, ku do të përfshihen çështjet e shit-blerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e  shqiptarëve. Çështja e sistemit zgjedhor. Të gjitha masat që kanë si emërues të përbashkët elementin e vullnetit politik, për të ndarë shtetin nga politika. Shtetin nga partitë politike. Një angazhim dhe një standard i OSBE-së, pa të cilin çdo kornizë ligjore pëson fatin e ndryshimeve që janë bërë deri më sot. Ky është thelbësor në këtë proces që po nisim duke filluar nga sot”.

I pyetur nëse do të ketë masa shtesë tek ligji i dekriminalizimit, Bylykbashi tha se, “çështjet e substancës do të diskutohen më pas nga ekspertët dhe nga grupi i përfaqësuesve politikë, por nuk është ky momenti për të diskutuar çështjet specifike”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.