Ballina Bota

Ambasada e Egjiptit bën të ditur qëndrimin e Kajros për gazetarët e AA-së

TIRANË, 17 janar /ATSH/ – Me anë të një njoftimi për shtyp ambasada e Egjiptit në Tiranë ka bërë të ditur qëndrimin e Kajros lidhur me arrestimin e gazetarëve të AA-së në Egjipt.

”Këshilltari Ahmed Hafez, zëdhënës i Ministrinë së Jashtme të Egjiptit, ka shprehur refuzimin e plotë të Egjiptit për atë që është thënë në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë dhe deklaratave të tjera të palës turke lidhur me masat ligjore të marra nga autoritetet egjiptiane për trajtimin e një prej grupeve ilegale të medias elektronike turke në Egjipt, i cili ka punuar nën mbulesën e një kompanie të themeluar nga elementë të grupit terrorist të ‘Vëllazëria myslimane’ me mbështetjen e Turqisë”, thuhet në njoftim.

”Grupi në fjalë ka punuar për të përhapur informacione të rreme dhe të fabrikuara në lidhje me kushtet politike, ekonomike, të sigurisë dhe ato ligjore në Egjipt, dhe për t’i shpërndarë ato në zgjatimet e tij në Turqi, në përpjekje për të dëmtuar imazhin e vendit brenda dhe ndërkombëtarisht”, shtohet në të.

”Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ka konfirmuar se të gjitha masat e marra nga autoritetet përkatëse egjiptiane në lidhje me këtë janë kryer në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi për trajtimin e situatave të tilla jashtëligjshme”, përfundon kjo deklaratë.

Prokurori i Përgjithshëm i Egjiptit vendosi dje të lironte pesë punonjësit e agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Agency, të arrestuar një ditë më parë, me akuzën për publikimin e lajmeve të rreme mbi Egjiptin./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShpallen fituesit e Konkursit të Kodimit, Shalsi: Falë revolucionit dixhital, shërbimet publike shtetërore masivisht online
Artikulli tjetërITALI – Një tablo e gjendur rastësisht i përket Klimtit