Ballina Aktualitet

Deputetja Evis Kushi zgjidhet kryetare e PS në Elbasan

TIRANË, 11 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla mblodhi sot Asamblenë Socialiste të Elbasanit.

Në Asamblenë Socialiste të Elbasanit u miratua edhe vendimi për Kryetaren e re të PS Elbasan, deputetja Evis Kushi.

Në fjalën e tij, Balla tha se viti 2020 ka nisur me revolucionin digjital në të gjitha shërbimet publike.

“Vetëm pak minuta online në kompjuter apo celular, duke klikuar vetë nga kudoqoftë (brenda ose jashtë vendit) ose me një ndihmë të parë në sportelet zyrave të postës të njësive administrative mund të kryen procedurat e nevojshme që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë. Sa shumë kanë vuajtur qytetarët për tu endur zyrave dhe radhëve pafund për të marrë një dëshmi penaliteti, madje duke fut mik apo duke pagu ryshfet për ta marrë shpejt. Ky proces rrënjësisht transformues do të lehtësojë ndjeshëm edhe për biznesin duke eleminuar endjen, pritjen, arrogancën në raste të caktuara të zyrtarëve”-, deklaroi Balla.

Sipas Ballës, viti 2020 është historik për Shqipërinë, pasi mori për herë të parë kryesimin e radhës së OSBE, ku Kryeministri Edi Rama është tashmë Kryetari i kësaj organizate kaq të rëndësishme të 57 vendeve dhe të më shumë se 1 miliardë njerëzve.

Sa i përket procesit të riorganizimit të PS-së, Balla tha se, duhet vijojë organizimi i strukturave tona vendore të partisë për të fituar bindshëm mandatin tonë të tretë qeverisës me Edi Ramën Kryeministër.

“Edhe pse zgjedhjet e Qershorit 2021 duken ende larg, gjatë vitit 2020, duhet vijojë organizimi i strukturave tona vendore të partisë për të fituar bindshëm mandatin tonë të tretë qeverisës me Edi Ramën Kryeministër. Prej disa muajsh jemi në proces riorganizimi ripërtëritjeje dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare te qershorit 2021 dhe pasi kemi zgjedhur kryetarët e organizatave, delegatët e Kongresit, tani Asambletë e zgjeruara zgjedhin edhe kryetarin e Partisë Socialiste për çdo bashki. Ne jemi e vetmja parti që kemi përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kryetarëve parimin e barazisë gjinore, duke vendosur të fillojmë të zbatojmë një normë të re të organizimit ku drejtimi i organizatave i besohet një burri, ose djali dhe një gruaje, ose vajze, kemi bërë dhe zgjedhjen me “një anëtar një votë” të të gjithë delegatëve të Kongresit, tani brenda mes janarit po përmbyllim procesin me zgjedhjen e kryetarëve të partisë. Ky proces riorganizimi vijon më pas me Kongresin zgjedhor që do të zhvillohet më 29 Shkurt 2020”-, përfundoi Balla.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëshilla ideale si të zgjidhni ngjyrën e flokëve sipas tipit të lëkurës tuaj
Artikulli tjetër“Inter” e “Juventus”, nis beteja për Chiesan