TIRANË, 24 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Këshilli i Ministrave do të miratojë sot amnistinë për të dënuarit, që sipas kryeministrit Edi Rama “pritet të jetë e konsiderueshme sa i takon grave që do të përfitojnë”.
Kryeministri Rama informoi në një prononcim për mediet se “sot, në mbledhjen e Qeverisë kemi këtë vendim për të marrë”.
“Do të miratojmë amnistinë. Besoj se përfitueset kryesore do të jenë gratë, edhe pse do të kisha dashur më shumë se kaq”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se “do të donte një amnisti totale për gratë, por është një debat i madh lidhur me gratë që kanë vrarë burrat”. “Ky nuk është një debat politik, por juridik dhe shumë më i ndërlikuar se sa dëshira apo qëllimi i mirë nga ana ime. Nuk e mbështesin në kuptimin jo se gratë nuk duan gratë, por vrasjen e burrave nuk e shohin si një krim që mund të amnistohet me një të rënë të lapsit. Unë mendoj se kanë të drejtë nga pikëpamja ligjore e vijimësisht dhe unë nuk i kisha hyrë më thellë kësaj çështje”, tha Rama. /j.p/























