Ballina Bota

FOKUS – BE: Metodë e re zgjerimi për Ballkanin Perëndimor

BRUKSEL, 11 dhjetor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Europian i është përgjigjur vetos së Francës për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke njoftuar se do të propozojë në janar një proces të ri për pranimin e anëtarëve, sipas parimit që nëse njëra palë i mban premtimet, atëherë ashtu duhet të bëjë edhe pala tjetër.

”Metodologjia e rishikuar për negociatat e zgjerimit ka të bëjë me bërjen e bisedimeve të pranimit më të besueshme dhe të parashikueshme për të gjitha palët”, deklaroi  komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

Njoftimi vjen pasi Parisi – mbështetur nga Danimarka dhe Holanda – bllokoi hapjen e premtuar të negociatave me shtetet e Ballkanit në muajin tetor.

Parisi, Kopenhaga dhe Haga thanë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhej të reformonin më tej administratën e tyre dhe sistemin e drejtësisë.

Ky vendim irritoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut, që kishte ndryshuar emrin e vendit për të kapërcyer kundërshtimet nga Greqia.

Më tej Paris argumentoi muajin e kaluar se procesi i pranimit në BE ka nevojë për reformë dhe se blloku duhet të përqendrohej fillimisht në reformimin e tij, që pastaj të merrte në konsideratë anëtarët e rinj.

Varhelyi theksoi në një postim në Twitter se ”politika e zgjerimit dhe integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është një objektiv i rëndësishëm strategjik për BE”.

Ai shtoi se ”procesi i ri i reformës do të sigurojë që nëse njëra palë i mban premtimet, ashtu duhet të bëjë edhe pala tjetër”.

Aktualisht, procesi i pranimit përfshin negocimin e 35 kapitujve, që vendi kandidat të përafrohet me legjislacionin e BE-së./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPadia e Metës, Dvorani në Prokurori: Ligji, i barabartë për të gjithë
Artikulli tjetërDeklaratat e Dvoranit/ Blushi: Nuk presim asnjë reflektim publik nga një dhunues me dashje i Kushtetutës