TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Në qytetin bregdetar të Durrësit duket se banorët u janë rikthyer normalitetit, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Në hotelet ku janë strehuar të prekurit nga tërmeti shihet një atmosferë e qetë, ku në fytyrat e njerëzve është rikthyer buzëqeshja dhe në sytë e fëmijëve shkëlqen shpresa.
Në një nga strukturat akomoduese sot në Durrës qytetarët kanë shijuar një ditë normale si një familje e madhe: fëmijët janë argëtuar me lojëra dhe vizatime, mosha e tretë ka shijuar gatimet dhe bisedat e ngrohta me njëri-tjetrin dhe gratë dhe vajzat kanë marrë trajtime bukurie.
“Panoramë e qetë në hotel ‘Bonita’ në Durrës, ku janë strehuar familjet e prekura nga tërmeti. Fëmijët qeshin e gëzojnë me lojërat e animatorëve dhe vullnetarëve, ndërsa më të rriturit marrin trajtim e kujdes. Gjithçka, për t’iu rikthyer pak nga pak normalitetit!
Bashkë do t’ia dalim”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
/a.a/r.e/























