TIRANË, 28 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot vlerësimin maksimal për gjithë trupën e mjekëve dhe shërbimin tonë shëndetësor, ndërsa siguroi se “çdo jetë ka një vlerë të paçmuar dhe për çdo jetë ne do të bëjmë maksimumin”.
Në mbledhjen e qeverisë, Rama tha se “kjo ka qenë një sprovë zjarri për Urgjencën Kombëtare që faktikisht është shquar në këtë proces si një trupë e njehsuar për nga çdo standard me trupat mbresëlënëse që kemi parë të vijnë nga ajka e kësaj bote, Franca e vende të tjera”.
“Duhet, sigurisht që t’i qendrohet, ashtu si ka ndodhur, mbi kokë çdo minutë për pacientët që janë në rrezik. Kemi pacientë në rrezik që kërkojnë ndërhyrje të superspecializuar. Për fat të mirë kemi një solidaritet total nga spitalet e Europës dhe jo vetëm, por edhe përtej”, tha Kryeministri.
Rama tha se “kemi marrë edhe nga Izraeli konfirmimin e gatishmërisë”.
“Dyert janë të hapura për këdo që ka nevojë për kurim. Fatmirësisht numri nuk është masiv, por çdo jetë ka një vlerë të paçmuar dhe për çdo jetë ne do të bëjmë dhe kemi mundësi të bëjmë maksimumin”, tha Rama. /j.p/























