Ballina Aktualitet

Telefonata Palmer-Meta, Presidenca: Të gatshëm të publikojmë transkriptin e plotë

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka reaguar sot pas lajmit për një bisedë telefonike mes Presidentit Ilir Meta dhe zv.ndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA, Matthew Palmer.

Blushi është shprehur se Presidenca është e gatshme ta vërë në dispozicion të publikut të plotë transkriptin e bisedës mes Presidentit Meta dhe Palmer.

“Të dashur kolegë gazetarë, Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, ja u ka konfirmuar z. Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’ja u konfirmoj edhe unë, ju sqaroj: Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta dhe zv.ndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA, z. Matthew Palmer, me kërkesë të këtij të fundit”, ka theksuar Blushi.

“Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese. Megjithatë nëse z. Lekloti, bie dakord me ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur!” – ka shtuar Blushi.

“Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë!” – ka përfunduar zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakU shkarkua nga detyra/ Muçi: Nuk e njoh vendimin e KPA, jam anëtar i Kushtetueses
Artikulli tjetërAmbasada e SHBA për ATSH: Palmer bisedë telefonike me Metën