Ambasada e SHBA për ATSH: Palmer bisedë telefonike me Metën

TIRANË, 21 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin Ilir Meta.

Lajmi është konfirmuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare nga burime të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Siç konfirmon Ambasada e SHBA-së për ATSH, Palmer zhvilloi mbrëmjen e djeshme një bisedë telefonike me Metën, por nuk dha detaje të tjera nga ky bashkëbisedim dhe çfarë konkretisht është diskutuar.

Në një deklaratë zyrtare, Ambasada e SHBA-së reagoi lidhur me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Ambasada theksoi se “në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta,  Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias”.

Sipas Ambasadës amerikane, institucionet gjyqësore shqiptare, Kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre interpretimeve të debatuara.

“Teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma thelbësore, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të saj si një vend mik, partner dhe aleat”, deklaroi sot Ambasada amerikane. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.