Ngërçi në Kushtetuese nga Meta/ Balla: Opinion Venecias, i bashkohemi vlerësimit të partnerëve tanë strategjikë SHBA-BE

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pasi të shtohen edhe shkeljet e bëra me Gjykatën Kushtetuese, duhet të merret sërish mendimi i Komisionit të Venecias.

Ai ka theksuar nga Kryesia e Kuvendit se Komisioni Hetimor nëpërmjet kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion në lidhje me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Komisioni Hetimor, nëpërmjet kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi do t’i drejtohet Komisionit të Venecias, një institucion i gjithëpranuar për cilësinë e opinioneve të veta. Kujtoj që, për çështjen e zhdekretimit të zgjedhjeve ka qenë i plotë i qartë dhe në këtë këndvështrim është e domosdoshme që edhe në këtë rast, sapo të jetë miratuar zgjerimi i objektit të hetimit, t’i drejtohemi menjëherë Komisionit të Venecias të japë vlerësimet e veta”, deklaroi Balla.

“I bashkohem vlerësimit të partnerëve tanë strategjikë, SHBA-ve, por edhe BE-së, pasi edhe Kocijancic ka qenë në të njëjtën gjatësi vale për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij ngërçi të krijuar nga veprimet e mosveprimet e Presidentit, se për ne është shumë e rëndësishme vijimi i punës së Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Balla. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.