Arsimi, infrastruktura, bujqësia dhe shëndetësia, 4 sektorët prioritarë të projektbuxhetit 2020

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/- Arsimi, infrastruktura, bujqësia dhe shëndetësia janë katër sektorët prioritar të qeverisë që do të marrin edhe pjesën më të madhe të buxhetit në vitin 2020.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë prezantimit të p/buxhetit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Sipas p/buxhetit sektorit të arsimit i alokohen 42.5 miliard lekë ose 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti viti 2019.

Rreth 500 milionë lekë, tha Denaj, parashikohen për financimin me përparësi të porjektit për dhënien e teksteve shkollore falas për rreth 230-250 mijë nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë.

Po ashtu, financohet projekti për trajtimin me kuotë ushqimore për 1300-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë.

Mbështetje të vazhdueshme, shtoi Denaj, do të ketë edhe për studentët në kuadër të Paktit me Universitetin.

Sektori i dytë po aq i rëndësishëm dhe me një mbështetje më të lartë buxhetore është sektori i shëndetësisë, i cili tha ministrja Denaj, do të ketë një mbështetje buxhetore prej 63.3 miliard lekësh pse 2.75 miliardë lekë me tepër se viti 2019.

Ky buxhet do të mbështesë rikonstruksionin e 120 qendrave shëndetësore për vitin 2020, me një vlerë prej 350 milionë lekë. Siguron ilaçe të rimbursuar për 1000 pacientë më shumë çdo vit, përgjatë 2020-2022, si dhe efektivitet të shtuar në shërbimet shëndetësore si reduktimin e kohës aktuale prej 45 ditësh të pritjes për ekzaminime të rëndësishme (rezonancë, skaner) etj.

Bujqësia është sektori i tretë prioritar që përmes p/buxhetit 2020 i alokohen 11 miliard lekë ose 1.8 miliardë lekë më shumë se viti 2019, pra me rritje rreth 12%.

Këto investime në sektorin e bujqësisë pritet të rrisin produktivitetin dhe konkurueshmërinë e produkteve bujqësore dhe blegtorale përgjatë periudhës 2020-2022, duke përmirësuar standardet, duke garantuar sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e zonave rurale përmes nxitjes së shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në këto zona.

Ndërsa infrastruktura pritet marrë 41.1 miliard lekë në 2020. Në planifikimin e investimeve për vitin 2020 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm.

Ashtu si në vitin 2019, edhe në vitin 2020, sipas ministres, do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar mbylljen e tyre brenda vitit 2021.

Në infrastrukturën rrugore, për periudhën 2020-2022, synohet kompletimi akseve rrugore si Rruga e Arbrit; Milot – Balldren; dhe Orikum – Dukat.

Njëkohësisht synohet kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me financim të brendshëm brenda vitit 2022, si Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;

Po ashtu synohet, kompletimi i segmenteve rrugorë brenda vitit 2021 me financim të huaj si: By Pass i Fierit, By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.