TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi sot kualifikimin për në Gjykatën e Lartë të kandidatëve Ervin Pupe, Ilir Panda dhe Sokol Sadushi.
Këshilli dëgjoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, dhe vendosi kualifikimin e 3 kandidatëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi sot mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme.
Pasi u njoh me rezultatet e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidatin E.Q., Këshilli vendosi skualifikimin e tij. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Po ashtu, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin si gjyqtar, Këshilli vendosi skualifikimin e kandidatit F.D. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjithashtu, Këshilli pasi verifikoi kushtet dhe kriteret ligjore për rekrutimin si gjyqtar, vendosi të kualifikojë kandidatin Hazbi Balliu.
Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta./m.m/ /a.g/























