Rezultatet e zgjedhjeve/ Pesë ankesa pranë Gjykatës Supreme nga kandidatët

PRISHTINË, 12 nëntor/ATSH/ Pesë ankesa i janë drejtuar Gjykatës Supreme rreth rezultateve përfundimtare për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit nga ana e KQZ-së.

Gjykata Supreme, sipas KosovaPress, tha se të gjitha ankesat e paraqitura pranë këtij institucioni janë individuale të kandidatëve për deputetë.

Nga këto ankesa, një është nga një kandidat për deputeti i LDK-së, një nga kandidati për deputet i Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), një nga kandidati për deputet i Partisë Liberale të Ashkalinjëve dhe dy nga kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe vendosen brenda afatit ligjor prej 72 orësh nga koha e depozitimit të ankesave.

Ndërsa, më herët, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se në Gjykatën Supreme kanë depozituar ankesë tre kandidatët të cilët ishin shpallur fitues nga KQZ dhe kishin fituar një vend në Kuvendin e ri, por në përgjigjen e Gjykatës Supreme thuhet se nga VV kanë mbërritur dy ankesa./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.