ATHINË, 11 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti kinez, Xi Jinping, i cili mbërriti dje në mbrëmje në Athinë për një vizitë treditore, takon sot një qeveri greke në kërkim të investimeve të reja, me objektivin për të thelluar akoma më shumë bashkëpunimin dypalësh në të gjithë sektorët.
“Vizita e Xi Jinping është me rëndësi historike për zhvillimin e bashkëpunimit kino-grek dhe do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe dhe nismës së Pekinit për të “ashtuquajturën rrugët e reja të mëndafshit”‘, theksoi Ministria kineze e Punëve të Jashtme.
“Është detyra jonë për të përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin tonë në të gjithë sektorët”, deklaroi presidenti kinez, në një artikull të publikuar dje nga e përditshmja “Kathimerini”.
Xi do të takojë sot presidentin, Prokopis Pavlopoulos dhe kryeministrin, Kyriakos Mitsotakis për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushat e arsimit, marinës tregtare dhe energjisë.
Në krye të qeverisë, që prej muajit korrik, kryeministri konservator po punon shumë për tërheqjen e investimeve të huaja në kuadër të riforcimit të rritjes ekonomike greke pas krizës së borxhit (2010-2018).
“Nuk ka pasur kurrë një moment kaq të përshtatshëm për të shkruar një faqe të re të marrëdhënieve me Kinën”, theksoi Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite javën e kaluar në Shangai, me një delegacion që përfaqësohej nga 60 kompani.
“Marrëdhëniet me Greqinë janë një prioritet për Kinën”, theksoi Nikos Dendias, ministri grek i Punëve të Jashtme, për “Radio Thema”./ /ec/ a.jor.












