Ballina Aktualitet

Ambasadorja e Francës: Dera e BE për Shqipërinë është e hapur

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ – Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Vasac ka deklaruar se dera e Bashkimit Europian për Shqipërinë është gjithmonë e hapur.

Nga Korça, Vasac u shpreh në një prononcim për mediet se, e rëndësishme është të vazhdohet me reformat, ndërsa theksoi se partitë politike duhet të kenë vullnet për të zbatuar ligjet.

“Doja të përsërisja atë që tha Macron për këtë çështje. Ideja është që duhen marrë iniciativa në mënyrë që të përpiqet të gjendet një mënyrë e re e funksionimit të BE. Kjo është e vlefshme si për anëtarët  e BE, një kontekst që në Shqipëri ndoshta nuk mund të kuptohet aq drejtë sa duhet, që ka të bëjë me Brexit dhe është e vlefshme edhe për vendet e ardhshme anëtare. Ai ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave është edhe Shqipëria kanë vokacion që të jenë në të ardhmen në BE. Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër. Ka pasur thjesht disa interpretime që nuk korrespondojnë me të vërtetën. Po jua them edhe në shqip, “dera është e hapur”, tha ambasadorja Vasac.

Kjo, shtoi ajo, “do të thotë dy gjëra, së pari, që reformat duhet të vazhdojnë dhe të kenë rezultate konkrete. Nuk mjafton të miratohen ligje, ato duhet të zbatohen. Kjo kërkon vullnet politik të të gjitha palëve si të qeverisë, ashtu edhe opozitës”.

/gj.mima/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 11/11/2019
Artikulli tjetërKroçera “Nautica” me 669 turistë nga 23 vende të botës mbërrin në Durrës