MV – Sassoli: Kemi një të ardhme të përbashkët

SHKUP, 5 nëntor /ATSH-MIA/ – Në Këshillin e Europës nuk u tha ”jo” për rifillimin e procesit të negociatave, pasi kjo çështje do të rishqyrtohet, deklaroi sot kryetari i Parlamentit Europian, David-Maria Sassoli në Shkup.

“Duhet të sqarojmë se nuk bëhet fjalë për ‘jo’. Unë preferoj të them se bëhet fjalë për një ndalim historik, në mënyrë që të kthehemi sërish dhe ky proces i negociatave të fillojë sa më parë. Kemi një të ardhme të përbashkët, ta shkruajmë së bashku”, theksoi sot kryetari i Parlamentit Europian në fjalimin e tij në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

“Për mua është nder që ndodhem sot para këtij parlamenti. Jam këtu për t’u  thënë se zhgënjimet tuaja i ndajmë, ato janë edhe tonat, sepse jemi të bindur se kemi të ardhme të përbashkët, e ajo e ardhme quhet Bashkimi Europian”, theksoi Sassoli.

“Ekzistojnë vështirësi që duhet t’i tejkalojmë, por duhet të jemi optimistë që ta përfundojmë edhe këtë fazë që do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE”, shtoi ai.

“Ju keni bërë përpjekje të mëdha duke ndryshuar edhe emrin kushtetues. Ky është hap vendimtar që u tregoi institucioneve europiane se jeni të gatshëm për rrugë të përbashkët me ne”, nënvizoi Sasoli.

“Ballkani Perëndimor është në hapësirën e BE-së. Kemi histori, traditë të përbashkët, ndjenja të përbashkëta. Kjo natyrshëm do të jetë fuqia jonë dhe trashëgimia jonë që do t’ua lëmë të rinjve në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Sasoli./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.