TIRANË, 28 tetor /ATSH/ – Partia Demokratike ka publikuar shkresën nëpërmjet të cilës Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje “Për miratimin e rezultateve të verifikimit”, për kryetarin aktual të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.
Sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi, në një deklaratë për mediet thotë se, “Partia Demokratike asokohe solli fakte të pakundërshtueshme se në fakt Jorgo Toto i arrestuar në flagrancë në Greqi ishte pikërisht Agim Kajmaku. Sot denoncimi i Partisë Demokratike është provuar zyrtarisht nga Prokuroria e cila me shkresën e datës 28 tetor 2019 ka provuar si tërësisht të vërtetë denoncimin e kryer nga Partia Demokratike”.
Bardhi citon përgjigjen e Prokurorisë duke nënvizuar se, “Prokuroria ka sqaruar se shtetasi Agim Kajmaku dhe shtetasi Jorgo Toto, është i njëjti person. Ky fakt konfirmohet nga të dhënat e sistemit TIMS, konfirmohet nga fakti që gjurmët e shtetasit Agim Kajmaku dhe shtetasit Jorgo Toto janë i njëjti person”.
“Nga ana tjetër, shprehet prokuroria, rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti përpara autoriteteve shqiptare, jo vetëm duke ndryshuar emrin dhe mbiemrin, por dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”, tha ai.
Bardhi në mbyllje të deklaratës së tij shprehet se ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është dhe një nga kushtet e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.






















