Ballina Flash

Rehabilitimi i qendrës shëndetësore në Selitë, përfitojnë 10 mijë banorë

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet për rehabilitimin e qendrës shëndetësore Selitë, në periferi të Tiranës, e cila po rehabilitohet në kuadër të programit të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore.

E shoqëruar nga deputeti i zonës Pandeli Majko, Manastirliu u shpreh se nga ky investim do të përfitojnë shërbime më cilësore 10 mijë banorët e zonës.

“Popullata është rritur ndjeshëm në këtë zonë të Tiranës ndaj ne kemi vlerësuar dhe shumë shpejt do të hapim pikën e re shëndetësore në zonën e Kodrës së Diellit. Po çojmë shërbimin me standarde në zemër të komunitetit për të garantuar akses universal dhe shërbim cilësor për qytetarët, kudo ku ata jetojnë. ”- tha Manastirliu.

Duke theksuar se me programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në 2 vite në Tiranë janë rehabilituar 24 qendra shëndetësore, Manastirliu tha se në njësinë nr. 5 ka pasur edhe investime të tjera.

“Në njësinë administrative nr. 5, e cila është dhe njësia administrative më e madhe e Tiranës qoftë për nga pikëpamja e numrit të banorëve edhe për nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike, në dy vite është mundësuar përveç rikontruksionit të qendrës shëndetësore Selitë edhe rikonstruksioni i qendrës shëndetësore nr. 8 e cila prej shtatorit të këtij viti funksionon edhe si qendër shëndetësore e urgjencës pediatrike, së bashku me konsultorin e fëmijës te stadiumi Dinamo”, -tha Manastirliu.

“Falenderoj Ministren për angazhimin për të përmirësuar shërbimin shëndetësor në këtë zonë shumë të populluar të Tiranës. Puna flet vetë! Edhe infrastruktura ka ardhur tashmë në nivelin e shërbimit që ofron këtu ekipi mjekësor që lavdërohet nga të gjithë banorët e kësaj zone”, -tha  Majko.

Me programin e 300 qendrave shëndetësore, këtë vit po investohet në tiranë në zonat periferike dhe fshatrat përreth kryeqytetit, si Bërxullë, Petrelë, Arbanë, Selitë, Vaqarr, Kombinat, Ndroq, etj.

Janë 9 qendra në Tiranë ku po ndërhyhet dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2019.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProjektligji/ Për herë të parë në Shqipëri, burgje private për të dënuarit me më pak se 5 vjet heqje lirie
Artikulli tjetërFOTO/ Tirana pret Festivalin më të madh të inovacionit në Ballkan “INN Fest 2019”