BRUKSEL, 24 tetor /ATSH-DPA/ – Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s pritet të nisin sot bisedime dyditore në përgatitje të samitit të aleancës në muajin dhjetor, por programi i tyre ka të ngjarë të përqendrohet në sulmin e Turqisë në Siri.
Dy javë më parë, Turqia, aleate e NATO-s, nisi një sulm ushtarak në verilindje të Sirisë për të luftuar milicinë kurde, që Ankaraja e konsideron si një organizatë terroriste të lidhur me PKK-në.
Sulmi u kritikua ashpër nga shumë aleatë të NATO-s, se mund të dëmtonte qëndrueshmërinë rajonale dhe të rikthente Shtetin Islamik.
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar pritet të përditësojë homologët e tij të NATO-s mbi zhvillimet e bëra, ndërsa ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer pritet të përshkruajë pikat e një propozimi për një zonë sigurie ndërkombëtare të detyruar.
Turqia dhe SHBA-ja, arritën javën e kaluar një marrëveshje armëpushimi për Sirinë. Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Turqia ishte e përgatitur për të bërë armëpushimin të përhershëm.
Rusia dhe Turqia ranë dakord të patrullojnë së bashku në zonën e kontrolluar dikur nga forcat kurde./ /sara/ a.jor.























