TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Ministri i Shtetit për Diasporën ka bërë të ditur lançimin e platformës së parë të shkollës dixhitale të quajtur “SchoolME”.
Më bashkëpunim me disa nga bibliotekat e Tiranës dhe bibliotekat publike të Korçës, Elbasanit, Lezhës dhe Shkodrës, “SchoolME” bën të mundur mësimin online në kompjuterat e bibliotekave.
“Qasja e lirë në mësimet audiovizuale për klasat 1-9 iu ofron nxënësve mbështetje cilësore të standardizuar në mësimnxënie dhe rrit gjithëpërfshirjen në arsimim cilësor të komunitetit të shkollave”, – thotë ministri Majko.
Ai vazhdon më tej shpjegimin duke u shprehur se “të gjitha lëndët e ciklit 9-vjeçar shpjegohen në shqip nga mësues të regjistruar dhe shoqërohen të sinkronizuara me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike, duke shtjelluar, duke thelluar dhe duke përditësuar të gjitha temat mësimore të renditura sipas programit”.
Qëllimi i “SchoolMe” është të mbështesë arsimin e nxënësve shqipfolës të shkollave 9-vjeçare kudo që ata ndodhen. /j.p/
























