TIRANË, 14 Tetor /ATSH/ – Hartimi i paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës në Diasporë ishte në qendër të mbledhjes së parë të Grupit Ndërinstitucional të Punës.
Gjatë mbledhjes ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko paraqiti sugjerimet e tij lidhur me disa nga modelet që mund t’i përafrohen rastit të Shqipërisë, pasi është e rëndësishme që të merren në shqyrtim të gjitha detajet në hartimin e kësaj pakete.
Një material i strukturuar i paketës ligjore do të hartohet dhe do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave. Ndërkohë grupi i punës vendosi zhvillimin e një mbledhje tjetër, brenda pak ditësh, për të paraqitur sugjerimet e secilit anëtar.
Ky grup ndërinstitucional kryesohet nga ministri i Shtetit për Diasporën dhe në përbërje të tij janë specialistë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Instituti i Statistikave.
/gj.mima/j.p/























