Tetori gjerman/ “Unseen – Me sytë nga Europa”, çelet në kalanë e Tiranës ekspozita e katër fotografëve të njohur

TIRANË, 9 tetor/ATSH/- Katër fotografë të njohur, Jutta Benzenberg, Andrej Liankewitsch, Livio Senigalliesi dhe Mila Teshaieva, prezantuan mbrëmjen e djeshme në Kalanë e Tiranës ekspozitën “Unseen – Me sytë nga Europa”, në kuadër të Tetorit Gjerman 2019, “Gur-gur bëhet URË”.

Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, ministrja e Kulturës, Elva Margarit, artdashës etj.

Kjo ekspozitë e ka burimin në dëshirën për të analizuar pasojat e transformimit të shpejtë të Europës mbi njerëzit e veçantë, familjet dhe komunitetet si dhe për të zbuluar efektet politiko-shoqërore edhe në nivel individual.

Ekspozita përfshin fotografi, video dhe tekste të katër fotografëve Jutta Benzenberg (Shqipëri), Andrej Liankewitsch (Bjellorusi), Livio Senigalliesi (Itali) dhe Mila Teshaieva (Gjermani). Çdokush prej tyre është shoqëruar gjatë punës në terren nga një aktor apo gazetar vendas me njohuri të thella lokale.

I tërë projekti i Institutit Goethe në Milano është kuruar nga Gabi Scardi, ndërsa ekspozita në Tiranë ka patur kujdesin e Jutta Benzenberg.

Punimet përqendrohen në rajone të Europës, që pas një faze produktiviteti dhe bumi zhvillimesh futen në krizë, të prekur nga fenomene si de-industrializimi dhe shpopullimi.
Në fokus janë herë pas here edhe peizazhe, që vuajnë prej kohësh ndryshimet strukturore me pasoja për ekonominë, zhvillimin social dhe perspektivat e të ardhmes para së gjithash për brezat e rinj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 18 tetor dhe hyrja është e lirë./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.