Majko: PD duhet të rikthehet në Kuvend, rezoluta për integrimin shpresë për reflektim

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, deklaroi sot se ka ardhur koha për të diskutuar ndryshimin e Kushtetutës, duke theksuar se kush braktis sistemin, duhet të paguajë edhe me ekzistencën elektorale.

Duke folur në seancën plenare ku po diskutohet për projektrezolutën “Për mbështetjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, Majko dënoi vendimin e opozitës për të braktisur jetën parlamentare.

Ministri Majko tha se “pjesëmarrja në sistem është e vetmja rrugë për zgjidhje. Ka ardhur koha për të diskutuar ndryshimin e Kushtetutës, ku mes të tjerash të jetë edhe parashikimi se kush braktis sistemin duhet të paguajë edhe me ekzistencën elektorale. Kush mendon se politika është vetëm për të përfituar kufizon veten. PD duhet të rikthehet në Kuvend”, – tha Majko.

Po ashtu ministri vuri në dukje edhe përplasjen mes dy opozitave asaj parlamentare dhe asaj jashtë.

“Sot ka dy opozita. Ajo në Kuvend reagon me nervozizëm për çdo mundësi dialogu për atë jashtë. Ajo jashtë ka vendosur në provë legalitetin e sistemit politik të vendit. Kriza opozitare e ka të vështirë ta shpjegojë vlerësimin se me Edi Ramën nuk bëhen zgjedhje. Secili opozitar duhet ta nisë nga vetja”, – tha Majko.

Duke folur për rezolutën, Majko tha se, “në rezolutë ka një paragraf të munguar se me cilën opozitë do të bëjë mazhoranca sot procedurat. Sot ka dy opozita. Ajo në Kuvend reagon me nervozizëm për çdo mundësi dialogu për atë jashtë. Ajo jashtë ka vendosur në provë legalitetin e sistemit politik të vendit. Kriza opozitare e ka të vështirë ta shpjegojë vlerësimin se me Edi Ramën nuk bëhen zgjedhje. Secili opozitar duhet ta nisë nga vetja”.

“Rezoluta e integrimit europian është shpresë për reflektim. Problemi i vendit sot nuk është PS. Partia që u krijua nga studentët duhet ti bëjë pyetje vetës, se pse nuk po bëhet një alternativë. Dikur në fund të shekullit të kaluar studentët përmbysën mitin 45-vjeçar. Deri në atë moment komunistët kishin refuzuar kundërshtarin”, – tha ai.

“Pjesëmarrja e bën PD një parti politike. Sot ka ardhur koha edhe për ndryshimin e Kushtetutës. Kush braktis sistemin duhet të paguajë jo vetëm politikisht, por edhe me ekzistencën legale. PD duhet të kthehet në sistem. Ky proces do të vazhdojë me reformën zgjedhore. Kjo nuk shmang dot prezencën e opozitës në Parlament. Negociata me ta ka rëndësi cilësore. Dhënia e të drejtës së votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit nuk është çështje teknike. Nëse gjykata kushtetuese rrëzon 30 qershorin atëherë do të shkohet drejt zgjedhjeve. Opozita duhet të kthejë kokën pas. Kujtesa është një pasqyrë”, – u shpreh ai.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.