Ballina Flash

“Miqtë e Fëmijëve”, Shahini: 1 mijë mësues ndihmës deri në fund të këtij viti shkollor

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini mori pjesë në takimin e radhës të grupit parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, i cili synon të jetë një zë i fuqishëm i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve.

Në fjalën e saj, Shahini u ndal fillimisht tek masat dhe zhvillimet më të rëndësishme të ndërmarra nga MASR në arsimin parashkollor për vitin 2018-2019.

“Është filluar me zbatimin e standardeve të mësuesit dhe përgatitjen e programeve të kualifikimit për mësuesit, për të vijuar me trajnimet e mësuesve, drejtuesve të rrjeteve profesionale dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit parashkollor për kurrikulën dhe programet e reja. Janë hartuar dhe miratuar Standardet Profesionale të Formimit të Përgjithshëm të Mësuesit të Arsimit Parashkollor dhe ka filluar zbatimi në vitin shkollor 2018-2019”, – tha Shahini ndërsa theksoi se rreth 3000 mësues të arsimit parashkollor janë të trajnuar për paketën e arsimit parashkollor.

Ministrja po ashtu u ndal gjithashtu tek gjithë-përfshirja në rritje e numrit të fëmijëve rom/egjiptianë dhe me aftësi të kufizuara në kopsht. Në thelb të kësaj ndërhyrjeje mbetet sigurimi që të gjithë fëmijët pa dallim gjinie, aftësie dhe etnie të kenë qasje të barabartë në shërbimet e ofruara në arsimin parashkollor.

“Ndërhyrjet e deritanishme për gjithëpërfshirjen përfshijnë regjistrimin e fëmijëve rom/egjiptianë edhe pa dokumentacionin e kërkuar me ligj, frekuentimin e kopshtit prej tyre pa asnjë tarifë. Ndërsa për herë të parë është futur mësuesi ndihmës në kopsht”, – u shpreh ajo.

Për sa i përket integrimit të fëmijëve e të rinjve romë/egjiptianë në kopshte, shkolla e universitete, Shahini theksoi faktin se kanë vlerësuar me përparësi lehtësimin e integrimit të tyre duke zbatuar politika arsimore, të cilat u kanë krijuar këtyre komuniteteve shanse të barabarta për një qasje pozitive ndaj shkollës, ndërsa shtoi se “në sistemin arsimor parauniversitar janë të punësuar rreth 100 mësues të komuniteteve rome dhe egjiptiane, të diplomuar për mësuesi. Mësues të tjerë romë janë në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’. Ndërkohë, për këto kategori si dhe për shumë kategori të tjera si nxënës me aftësi të kufizuara, pakicat kombëtare etj, nga buxheti i shtetit janë siguruar tekstet mësimore dhe transporti falas”.

Në lidhje me “Planin e Veprimit për Arsimin Gjithëpërfshirës” për arsimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, Shahini theksoi se tashmë në sistem kemi të përfshirë rreth 900 mësues ndihmës me qëllim rritjet e aksesit në shkollë për këtë kategori, teksa numri i mësuesve ndihmës parashikohet të shkojë deri në 1000 deri në fund të këtij viti shkollor.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja u shpreh se ngelet akoma shumë punë për t’u bërë, gjithsesi arritjet e deritanishme në drejtim të gjithëpërfshirjes dhe realizimit të barazisë në arsim janë një bazë e mirë dhe na jep kurajo më të madhe për të avancuar më tej në këtë rrugë.

Aktiviteti i zhvilluar sot synon paraqitjen e masave të mëtejshme për zbatimin e “Axhendës së Fëmijëve” dhe përmbushjes së Rezolutës së Kuvendit mbi Fëmijët.

z.tosku/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Dy rezidentë shqiptarë të besimit islam në Itali, restaurojnë falas kishën
Artikulli tjetërZVICËR – Ankand për makinat luksoze të sekuestruara djalit të presidentit të Guinesë