TIRANË, 28 shtator/ATSH/- Ministrja e Mbrotjes, Olta Xhçka, deklaroi sot se “Shqipëria ishte me fat që një ngjarje e atyre përmasave kaloi pa asnjë të lënduar seriozisht dhe sidomos për faktin që nuk pati asnjë jetë të humbur. Gjithçka tjetër mund të zëvendësohet apo rindërtohet, por jetët e njerëzve jo”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe shefin e ekipit të BE-së për Emergjencat Civile, Peter Glerum, ministrja Xhaçka u shpreh se “prania e Glerum këtu është padyshim një tregues i seriozitetit me të cilin BE dhe posaçërisht Mekanizmi i Mbrojtjes Civile Europiane po e trajtojnë mbështetjen që po i ofrojnë vendit tonë”.
Por, vijoi ministrja, Glerum është padyshim i mirëpritur edhe për eksperiencën e ekspertizën e tij në këtë fushë nga e cila padyshim që kemi shumë për të mësuar sot kur jemi në hapat e para të transformimit të mekanizmit tonë për përballimin e emergjencave.
Ministrja falënderoi gjithashtu ambasadorin Soreca për të gjithë punën e tij, por edhe për faktin që vetëm fare pak kohë pas tërmetit të datës 21 ai jo vetëm që ofroi ndihmën e Delegacionit, por edhe që pa humbur fare kohë vuri në lëvizje delegacionin dhe Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për të mbështetur Shqipërinë në momentin e saj të nevojës.
“Tërmeti i datës 21 ishte padyshim një ngjarje dramatike. E gjithë situata, duke marrë parasysh edhe goditjet që pasuan ngjarjen kryesore sizmike, ishte një situatë dramatike, që shkaktoi shumë frikë tek qytetarët”, – nënvizoi Xhaçka.
Ministrja tha se “dëmet që shkaktoi tërmeti ishin të konsiderueshme. Çdo vend, qofshin këto vendet më të zhvilluara e të pasura, qofshin këto vende me ekonomi shumë më modeste, si Shqipëria, ka vështirësi në përballimin e dëmeve që lënë pas ngjarje si këto. Të gjithë e dimë që vështirësitë e vërteta në raste fatkeqësish natyrore, fillojnë pas mbarimit të emergjencës, kur lind nevoja për të rikuperuar atë çfarë është humbur e shkatërruar”.
Ajo shprehu mirënjohjen për Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen.
“E vlerësoj akoma më shumë këtë mbështetje, për faktin që Shqipëria sot nuk është e anëtarësuar në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane. E megjithatë jemi dëshmitarë të një shfaqje kaq të bukur e domethënëse solidariteti. Dua të falënderoj çdo vend që përmes këtij Mekanizmi, bujarisht ka vendosur të na mbështesë në këto momente të vështira”, – nënvizoi ministrja.
Ministrja Xhaçka tha se “ka kaluar shumë pak kohë që kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Mbrojtjen Civile Mbrojtjen Civile. Tërmeti i datës 21 shtator ishte testi i parë i këtij mekanizmi që është ende në hapat e parë dhe që kërkon ende shumë punë, koordinim, transformim institucional e përgjegjësish, përpara se të bëhet vërtet funksional. Por ishte një test që gjithsesi tregoi se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka ky mekanizëm i ndërtuar mbi modelet që funksionojnë sot në BE”.
Sipas saj, ishte një test që tregoi që jemi në drejtimin e duhur, për të ndërtuar një mekanizëm të mbrojtjes civile modern, efikas e funksional, dhe që mbi të gjitha, do të na lejojë të përmbushim të gjitha kriteret e standardet që nevojiten për t’u anëtarësuar ne Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane.
“Në këtë mënyrë jo vetëm që do të lehtësoheshin shumë procedurat e do të reduktoheshin shumë kohët e bashkëpunimit, por edhe Shqipëria, do të jetë e aftë të ofrojë ndihmën e mbështetjen e saj kudo që të jetë në nevoja në rajon apo më tej si pjesë e një mekanizmi të kolauduar mirë”, – tha ajo.
Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka tha se “shpreson që ky të jetë veç bashkëpunimi i parë në një marrëdhënie që së shpejti do të zyrtarizohet e konsolidohet me anëtarësimin e Shqipërisë në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile”./k.s/





























