TIRANË, 25 shtator /ATSH/ – I pyetur për idenë e shengenit rajonal, Kryeministri Rama në një intervistë dhënë nga Nju-Jorku për mediet, thotë se është një prioritet i një rëndësie shumë të veçantë.
“Unë jam shprehur më herët dhe për këtë kam marrë edhe akuza, sepse dikush që e ka krijuar idenë e ka lidhur menjëherë me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, çka për mua mbetet një prioritet i një rëndësie shumë të veçantë, por i parë në një kontekst shumë më të gjerë”, – tha ai.
Sipas Kryeministrit, një takim mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut pritet të ndodhë për të diskutuar hapat e bashkëpunimit midis vendeve. Sigurisht, ky takim nuk përjashton vendet e tjera por është një ftesë ndaj fqinjëve për t’u bashkuar.
“Na është dhënë mundësia që në hapësirën e punimeve të kësaj Asambleje të jemi së bashku me Presidentin e Serbisë dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe kemi rënë dakord që të takohemi së shpejti për të diskutuar mbi një hap të rëndësishëm bashkëpunimi mes të tre vendeve, që nuk është absolutisht përjashtues për vende të tjera, përkundrazi është një hap për të nxitur të tjerët që të bashkohen”, – u shpreh Kryeministri.
“Natyrisht për mua dhe për Shqipërinë, ky hap ka një rëndësi të madhe, nëse në bazë të kësaj, le të themi, marrëveshje të mundshme është heqja e kufijve; heqja e kufijve për njerëzit, heqja e kufijve për mallrat, heqja e kufijve për të gjithë ata që bëjnë sipërmarrje dhe për investitorë të mëdhenj, që është e qartë për të investuar në rajonin tonë kanë nevojë për një treg shumë më të gjerë sesa tregu i vogël i secilit prej vendeve të marra veç e veç”, – theksoi Rama.
“Kështu që besoj është pozitive që kemi jo dakordësi akoma, por një mirëkuptim që ky është momenti për t’i çuar gjërat më tutje, edhe në një kontekst europian, pasi ndërkohë që secili nga vendet individualisht bën rrugën e vet drejt BE-së, së bashku ne mund të bëjmë shumë më tepër rrugë si rajon, për të rritur ekonominë dhe mirëqenien e njerëzve që jetojnë në rajon”, – përfundoi Kryeministri Rama. /j.p/























