Ballina Flash

Historia e periudhës komuniste në Shqipëri, e pasqyruar në Muzeun Historik Kombëtar

TIRANË, 25 shtator /ATSH/- Muzeu Historik Kombëtar organizoi konferencën me temë “Historia e periudhës komuniste në Shqipëri, e pasqyruar në Muzeun Historik Kombëtar”.

Në këtë konferencë morën pjesë të ftuar nga vende të ndryshme si nga Ballkani, Franca, Gjermania etj. në kuadrin e vitit të 9 të “Workshop Albania 2019” si pjesë e grupit “Memory Lab Europe”, e cila është një platformë Europiane që trajton etapa të ndryshme historike të Europës kryesisht në Ballkanin Perëndimor, që këtë vit mbahet në vendin tonë.

Në këtë konferencë referoi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili pasi njohu të pranishmit me historikun e Muzeut dhe të pavijoneve të tij, u ndal specifikisht për periudhën e diktaturës komuniste ku trajtoi çështjet më të rëndësishme social-politike dhe ideologjike që karakterizuan atë periudhë si në aspektin e brendshëm por edhe atë të marrëdhënieve me jashtë si ato të vendeve fqinje, Europës perëndimore dhe kampit lindor komunist.

Më pas të ftuarit patën mundësinë të vizitonin pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar ku u njohën më nga afër me objektet e ekspozuara që pasqyrojnë etapat e ndryshme historike si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRITANI E MADHE – Parlamenti rifillon punimet
Artikulli tjetërNegociatat/ Xhafaj: Shqipëria progres në reforma, duhet dialog për Reformën Zgjedhore