Negociatat/ Xhafaj: Shqipëria progres në reforma, duhet dialog për Reformën Zgjedhore

TIRANË, 25 shtator /ATSH/- Etjen Xhafaj, zv.ministër për Europën dhe Punët e Jashtme u shpreh të mërkurën se “Qeveria është e angazhuar në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian dhe në vijimin e rrugës së reformave që i shërbejnë kësaj aspirate që e dëshiron populli shqiptar”.

Në një intervistë televizive, votën pro nga grupi parlamentar i SPD dhe CDU/CSU për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Xhafaj e cilësoi si progres të arritjeve që ka bërë vitet e fundit qeveria, të cilat siç tha ai, “janë brenda pritshmërive të vendeve të BE-së”.

“Kushtet kanë të bëjnë në përmirësimin e disa çështjeve të brendshme siç është reforma zgjedhore, apo indikatorë të tjerë të brendshëm. Ju e dëgjuat dhe deklaratën e Donald Tusk për Shqipërinë që nuk po i bëjmë nder Shqipërisë, por Shqipëria ka ecur në reforma. Reformat që vlerësohen janë reforma zgjedhore e cila është reforma e dialogut, ndërsa ju e patë vetë sot, si vijoi dialogu me opozitën. Qeveria vijon t’i shtrijë dorën opozitës për çështje që janë në të mirë të vendit. Të nisë dialogu për reformën zgjedhore mbi bazën e sugjerimeve të OSBE/ODIHR-it, është një nga kushtet për hapjen e negociatave”, – tha Xhafaj.

Duke u ndalur tek disa nga kushtet që parashtron vota pro e grupi parlamentar i SPD dhe CDU/CSU për çeljen e negociatave, ai theksoi se, “për sa i takon Reformës në Drejtësi është kusht krijimi i Gjykatës Kushtetuese e cila duhet të japë dhe një verdikt për zgjedhjet e 30 qershorit. Reforma zgjedhore ka disa çështje siç është vota e emigrantëve, votimi elektronik dhe këto nuk janë gjëra që mund të vendosim ne deri në dhjetor. Shqipëria ka zhvilluar disa procese zgjedhore demokratike. Demokracia bazohet në të drejtën për të zgjedhur nëse opozita vendos të mos marrë pjesë, kjo nuk është përgjegjësi e mazhorancës. Në Shqipëri duhet t’i japim fund kontestimit të rezultateve të zgjedhjeve. Sigurisht ka pasur probleme ndaj dhe të dyja palët duhet të ulen në tryezë për t’i zgjidhur”.

Sipas tij, një sërë treguesish janë përmirësuar ndjeshëm në vendin tonë falë punës së qeverisë dhe kjo është baza mbi të cilën vendi ka arritur deri këtu. Sipas statistikave në tre vitet e fundit ka një rënie të ndjeshme të azilkërkuesve shqiptarë dhe ky është një tregues që i referohet edhe Bunderstagu dhe këto janë çështje që po diskutojmë edhe me Francën e Holandën për hapjen e negociatave.

“Hapja e negociatave është një kapitull i ri që tregon se është aspiratë e popullit shqiptar e një populli pro evropian. Shqipëria është vendi i parë në Europë që ka ndërmarrë reformën në drejtësi në çdo hallkë dhe besoj që vendet e BE do ta njohin këtë hap të qeverisë shqiptare. Besoj se qëndrimi i mazhorancës është në vijim të rekomandimeve të OSBE/ODIR ku i shtrihet dora opozitës jashtë parlamentare, por nuk besoj se dialogu është të lexosh atë çka ke dhe të largohesh. Nuk është qeveria që e largon opozitën nga dialogu, ne jemi të gatshëm dhe nuk kushtëzojmë opozitën në kërkesat e saj për zhvillimin e reformave të rëndësishme që janë në dobi të vendit”, – tha Xhafaj.

“E rëndësishme është që të gjitha palët të bëhen bashkë për hapjen e negociatave”, – tha ai. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.