Ballina Flash

“Stafetë lapidarësh”, përkujtohet 75-vjetori i çlirimit të Gjirokastrës

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ “Stafetë lapidaresh” ishte aktiviteti i organizuar sot në Gjirokastër në kuadër të përkujtimit të 75-vjetorit të çlirimit të qytetit të gurtë.

Në këtë aktivitet mori pjesë prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, kryetari i bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi, kryetari i Komitetit të Veteranëve Gjirokastër Hodo Liço, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore, veteranë e qytetarë.

Ky aktivitet u organizua nga bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”.

Aktiviteti festiv u shtri në të gjithë qytetin, duke nisur nga busti i Heroit të Popullit Muzafer Asqeriut dhe vijoi më pas në dy lapidaret që ndodhen në lagjen Palorto, Gjirokastër.

Ceremonia përkujtimore në lapidarin e dëshmorit Pertef Kokona, u shoqërua me vendosjen e luleve si dhe me këndim të këngëve patriotike në nder të dëshmorëve të rënë.

Në fjalën përshëndetëse, Prefekti Aliaj theksoi rëndësinë e nderimit dhe respektimin të veprës e kontributit të dëshmorëve në çlirimin e qytetit të Gjirokastrës, veçanërisht që ky vit përkon edhe me vitin jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

Ai shprehu mirënjohjen dhe respektin për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e Gjirokastrës, të cilët dhanë jetën jetën në shërbim të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si epopeja më e lavdishme në historinë e popullit tonë.

Prefekti Aliaj theksoi se është detyrë e jona që të përcjellim brez pas brezi vlerat e bijve dhe bijave që dhanë jetën e tyre për çlirimin e atdheut tonë./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Juventus” me entuziazëm drejt Madridit, rikuperohen Pjaniç e Danillo
Artikulli tjetërCakaj në Komisionin e Integrimit: Shqipëria, e gatshme të nisë negocimin me BE-në