Cakaj në Komisionin e Integrimit: Shqipëria, e gatshme të nisë negocimin me BE-në

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për çeljen e negociatave.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Integrimin Europian, ku theksoi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet e nevojshme për hapjen e negociatave.

Cakaj theksoi se, “Komisioni Europian vlerëson largimin e 88 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Vetingu. Vitin e kaluar vendimi i Këshillit është diktuar nga klima elektorale. Këtë vit është esenciale për Shqipërinë të mundësojë që rekomandimet e Këshillit të shndërrohen në vullnet politik. Komisioni vlerëson ngritjen e KED, KLP dhe KLGJ. Institucione që mundësojnë ngritjen e SPAK dhe BKH brenda afateve. Arritje të tjera janë paraqitur në raportin e progresit”, tha Cakaj.

“Përgjigja është e qartë që qoftë nga kapaciteti administrativ, qoftë nga përmbushja e kushteve Shqipëria është e gatshme të nisë procesin e negocimit në momentin që Këshilli vendos hapjen e negociatave”, u shpreh ai.

I pyetur mbi planin e veprimit të MEPJ, Cakaj tha se, “afati i përcaktuar prej ligjit aktual është 3 javë. Kur raporti publikohet në mes të vitit, si në këtë rast në maj, ka qenë e vështirë që plani të zbërthehet në plane konkrete. Ka kërkuar gjykim të hollësishëm teknik se cilat prej masave duhet të barten vitin e ardhshëm. Është shumë problematike të diskutohet për afate kohore të prera se kur do të diskutohet. Procesi i planit të masave ka qene më i vështirë për shkak të shkaqeve rrethanore. Shqipëria nuk është në faza që të përballojë një plan dosido. Teknikisht ne sot e kemi dorëzuar draftin e raportit. Plani i masave do diskutohet dhe miratohet në Këshillin e Ministrave”.

Në lidhje me qëndrimin e vendeve skeptike, Cakaj tha se, “problemi është se këto vende kanë specifika të tyre dhe asnjëherë problemet e tyre nuk lidhen me një çështje të vetme. Qasja jonë ka qenë që pavarësisht qasjeve të tyre të kemi një plan komunikimi me secilin vend. Ju përmendët dhe shqetësimin e krimit të organizuar. E para ky është një diskutim për fushatë dhe hapjen e negociatave. Shqipëria është një vend me shumë probleme por thelbi i çështjes është që nëse Shqipëria ka akumuluar një masë. Ne jemi në situatën kur jemi duke kryer Vetingun si një ndërmarrje paraprake për të merituar hapjen e negociatave. Meritat e Shqipërisë nuk vihen në pikëpyetje. Shkalla e krimit të organizuar mund të vlerësohet ndryshe nga vende të ndryshme”.

Sa i përket takimit në Gjermani me Kancelaren Merkel, Cakaj tha se “nga qeveria gjermane është komunikuar se vendimi për hapjen e negociatave duhet të jetë i padisktueshëm qoftë për shkak të meritës  të Shqipërisë qoftë për rëndësinë gjeostrategjike. Por autorizimi për ministrin përgjegjës për Europën vjen direkt nga Bundestagu. Pra fushata diplomatike duhet të shtrihet edhe në nivel të deputetëve. Ka një përmirësim të dukshëm të klimës atje dhe kjo është vënë re edhe në takimin me Kancelaren dhe takimet e tjera atje.

I pyetur nëse reforma zgjedhore do të jetë kusht për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Cakaj tha se, “reforma zgjedhore ka qenë një element me rëndësi në shërbim të hapjes së negociatave, por nuk ka qenë kusht formal. Shqipëria nuk ka asnjë problem me plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave”.

I pyetur në lidhje me deklaratat e kryeministrit grek për negociatat, Cakaj tha se, “me qeverinë paraprake kemi pasur proces aktiv komunikimi dhe natyrisht me qeverinë aktuale jemi në proces të konsultimeve që të adresojmë të gjithë çështjet që mund të shfaqin pengesë në rrugën europiane të Shqipërisë. Shqipëria është në pozicionin ku duhet të marrë mbështetje politike dhe kjo është e nevojshme për të pasur një vendim pozitiv në tetor.

I pyetur nëse ka pasur shqetësim nga ministria e jashtme greke sa i përket dhunimit të së drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, Cakaj theksoi se, “qëndrimet dhe shqetësimet lidhur me gjendjen e minoritetit grek janë tërësisht publike, unë nuk mund të flas për ndonjë shqetësim më konkret”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.