TIRANË, 7 shtator /ATSH/ – Shqipëria mbetet një ndër destinacionet e preferuara nga turistët e huaj dhe përgjatë këtij viti. Gjatë periudhës janar-gusht 2019, Shqipëria turistike mirëpriti 4.850.689 turistë të huaj.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet se, “arritje super pozitive në turizëm! Shqipëria priti 4.850.689 turistë të huaj, vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2019”.
Muaji gusht ka rezultuar një sukses në turizmin shqiptar, ku dhe shifrat tregojnë se në muajin gusht 2019 vendi ynë është vizituar 1.556.826 turistë të huaj, shifër kjo që tregon një rritje me 7,4% më shumë se gushti 2018.
Gjithashtu dhe gjatë periudhës janar-gusht numri i turistëve të huaj është 4.850.689, shifër kjo që tregon një rritje me 10% më shumë se periudha janar-gusht 2018.
Shqipëria tashmë është shndërruar në destinacion gjithëvjetor, pasi ofron një sezon turistik të larmishëm, ku përveç bregdetit, edhe turizmi dimëror po zhvillohet shumë nga turistët e aventurës, të cilët eksplorojnë shtigje malore duke bërë hiking, shëtitje me biçikleta dhe ski. /a.a/r.e/























