FINLANDË – BE mbështet një dialog mes SHBA-së dhe Iranit

HELSINKI, 30 gusht /ATSH-AFP/ – Vendet e Bashkimit Europian i japin përparësi dialogut mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe kërkojnë të shmangin çdo iniciativë që mund ta dëmtojë, deklaroi sot ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas pas takimeve me homologët francez dhe britanik.

”Tre vendet europiane, nënshkruese të marrëveshjes së arritur me Teheranin në vitin 2015 për kufizimin e programit të tij bërthamor, kërkojnë të përfitojnë nga samiti i G7-s, gjatë të cilit presidenti amerikan, Donald Trump shprehu vullnetin për të folur me Iranin”, theksoi Maas në një konferencë shtypi.

“Prioriteti ynë është lehtësimi i një dialogu mes SHBA-së dhe Iranit”, nënvizoi ai.

“Pas samitit të G7-s në Biarritz, ne jemi të gjithë të mendimit se një vullnet për dialog ekziston mes dy palëve dhe se kjo duhet të shfrytëzohet”, shtoi ai.

“Nëse kjo lëvizje është reale, ajo do të mbështetet nga BE”, theksoi shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.