TIRANË, 29 gusht/ATSH/- Lirimi i hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme ishte në fokus të punës së nisur mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit.
Punonjësit e policisë bashkiake të Durrësit liruan trotuaret e zëna nga bizneset që tregtojnë në dyqanet pranë tyre.
Ky aksion vjen si pasojë e shqetësimeve të ngritura nga qytetarët që duan rregullin e ligjin. Ata i kanë drejtuar parregullsitë që konstatojnë në adresat zyrtare të policisë dhe bashkisë.
“Ndjekim çdo ankesë në kohë reale. Lirojmë hapësirat publike të uzurpuara në kundërshtim me ligjin. Qytetarë, respektoni ligjin, shmangni masën administrative”, thekson policia bashkiake e Durrësit.
Bashkia e Durrësit ka synim që të krijojë ambiente të pastra, të rregullta e siguri rrugore në të gjitha hapësirat publike të qytetit, në mënyrë që mallrat të tregtohen brenda hapësirave të subjekteve dhe në kushte më të mira higjienike dhe mjetet të parkohen në vendet e përcaktuara.
Po ashtu bashkia u bën thirrje qytetarëve të largojnë mallrat apo objektet e vendosura në këto hapësira, pa ndërhyrjen e forcave të policisë dhe institucioneve të tjera./k.s/























