TIRANË, 9 gusht/ ATSH/ Bashkia e Elbasanit po sheh me prioritet investimet në sistemin e arsimit parashkollor, përmes përmirësimit të shërbimeve dhe infrastrukturës në çerdhe dhe kopshte, në përmbushjen e standardeve në mirë-rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja priti në një takim në zyrën e tij, Cristiano Agostino, menaxherin e projektit “Drejt një edukimi gjithëpërfshirës, për të gjithë fëmijët në moshë parashkollore në Shqipëri”.
Ndërsa ky projekt zbatohet në qytetin e Elbasanit prej tre vitesh ndërsa në takim u diskutua edhe mundësia e vijimit të mëtejshëm të tij. Si pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i çerdhes së re që po ndërtohet në Elbasan, një investim i Agjencisë Italiane për Bashkëpunimin në Zhvillim, si dhe organizatës ndërkombëtare që operon në drejtim të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri “Save the Children”. dhe bashkisë së Elbasanit.
Kryetari i Bashkisë falenderoi Agostino për zbatimin e projektit në Elbasan dhe sidomos për fokusin e tij në një kategori e cila nevojat e i ka më të shumta. Llatja u shpreh i gatshëm të japë të gjithë mbështetjen e tij dhe të institucionit që drejton për të tilla projekte që u vijnë në ndihmë fëmijëve me nevoja të veçanta, por edhe të familjeve me problem sociale e ekonomike.
E ndërtuar në pjesën jugore të qytetit, çerdhja do t’i shërbejë komunitetit të kësaj zone duke parashikuar të gjitha shërbimet që duhet të kenë institucione të tilla. Përveç infrastrukturës e cila përfshin, ngrohje, kuzhinën, këndet e lojërave, çerdhja e re do të ketë gjithashtu dhomën e psikologut, dhomën e nënave, ku këto të fundit të ushqejnë foshnjat, pra një standard i cili duhet të përhapet në të gjitha çerdhet dhe kopshtet.
z.tosku/























