Ballina Flash

Të rinjtë rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit mjedisor

TIRANË, 6 Gusht /ATSH/ -Roli i të rinjve në luftën kundër krimit mjedisor ishte në qendër të seminarit të mbështetur nga prezenca e OSBE në Shqipëri.

Seminari i të rinjve novatorë me temë: “Ndotja detare: Koha për të pastruar mendjen”, i cili organizohej bashkërisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe PNUD-i, nga 2 deri më 6 gusht i mbajtur në Rivierën shqiptare, e pikërisht në Dhërmi, kishte për qëllim që t’i ndihmonte të rinjtë pjesëmarrës që të zhvillonin projekte/ide novatore për parandalimin e ndotjes detare.

Fituesit e konkursit të ideve/projekteve do të mbështeten përmes nismave të ndryshme.

Gjatë pjesëmarrjes së tyre në seminar, zyrtarët e Prezencës paraqitën një prezantim me temë: “Lufta kundër krimit mjedisor dhe roli i të rinjve në të”.

Veç kësaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisi, Prezenca do të sigurojë një “praktikë mësimore falas” për një nga fituesit e konkursit, me qëllim që ai ose ajo të ndjekë veprimtaritë e Grupit Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor (GNKM) në nivel vendor, për t’ia paraqitur projektet/idetë e veta novatore autoriteteve të qeverisjes vendore dhe mësuar edhe më shumë rreth veprimtarive të Prezencës në luftë kundër krimit mjedisor.

Po ashtu, një fitues tjetër i konkursit do të ftohet të bëhet pjesë e grupit këshillimor, i cili do të ndihmojë veprimet e qeverisë kundër krimit mjedisor dhe do të themelohet në fillim të muajit shtator, duke qenë i përbërë prej aktivistëve të shoqërisë civile, studiuesve dhe pedagogëve, të rinjve dhe gazetarëve investigues.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi iu bashkua të rinjve sot për t’i përgëzuar fituesit dhe për të përshëndetur projektet/idetë fituese.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Bayern Munich” në gjurmët e talentit të Ajax, Ziyech
Artikulli tjetërMe ligjin e ri të vijës bregdetare, zaptuesit e plazheve nuk do guxojnë të sfidojnë më qytetarin dhe shtetin