TIRANË, 6 gusht/ATSH/- Qendrat shëndetësore në gjithë vendin kanë pësuar transformim përmes modernizimit të aparaturave dhe rritjes së cilësisë së shërbimit.
Me programin e rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore është përmirësuar shërbimi shëndetësor për qytetarët duke e bërë atë më cilësor, të aksesueshëm dhe me standarde.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi sot një video me pamje nga transformimet që kanë pësuar qendra shëndetësore të kryeqytetit konkretisht ato nr 4 , nr 6, nr 10 dhe nr 8.
“Si ishin dje dhe si janë sot qendrat shëndetësore në Tiranë. 80 qendra kanë përfunduar në fazën e parë, ndërsa 100 të tjera do rehabilitohen deri në fund të vitit”, shprehet Manastirliu.
Qendrat shëndetësore në Tiranë janë rehabilituar plotësisht, në të gjitha ambientet, përfshi edhe rehabilitimin dhe pajisjet e reja në laborator, si dhe sistemin e informacionit që shmang sorollatjet e qytetarëve, një sistem që më parë nuk ekzistonte në këto qendra./k.s/











