TIRANË, 6 gusht /ATSH – I. Vata/ – “1/3 e socialistëve refuzuan të votojnë më 30 Qershor”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me strukturat e PD-së Patos.
Basha tha se “sa i përket pjesëmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 përqind. Kjo do të thotë se në Patos vetëm një në tre socialistë ka shkuar të votojë në procesin farsë të 30 qershorit”.
Po ashtu, Basha shtoi se brenda këtij refuzimi popullor, ka edhe një lajm tjetër shumë të madh.
“30 qershori nuk është thjeshtë dhe vetëm refuzimi i Edi Ramës dhe regjimit të tij, nuk është thjesht një kryengritje masive popullore kundër mjerimit ekonomik që ai ka mbjellë, papunësisë, varfërisë. Është edhe një thirrje popullore për ndryshim”, tha Basha.
Duke folur për Teatrin Kombëtar, Basha tha se “është vjedhje e pastër njësoj si Unaza e Re”.
“Po bëjnë gati konçensionin 100 euro tarifë shtesë çdo biznesi për një tjetër truk me gjoja një kompani kroate, për të marrë 100 euro nga çdo biznes, a thua nuk e kanë këputur me taksa, gjoba, me çmimin e naftës, me çmimin e energjisë. Teatri, vjedhje e pastër njësoj si Unaza e Re, njësoj si stadiumi e kështu me radhë.”- tha ai.
Basha deklaroi se “protestat dhe vendimet për djegien e mandateve që vetëdijësuan shqiptarët se kjo luftë nuk bëhej për karriget dhe mandatet tona, nuk bëhej për privilegjet e pushtetit, por bëhej për qytetarët. Ndaj dhe protestat nuk u shuan, por u bënë gjithnjë e më të mëdha, gjithmonë e më të vendosura, gjithmonë e më të fuqishme, për të kulmuar me 30 qershorin. Kurrë më parë nuk kemi pasur një bashkim të tillë të qytetarëve. 85 përqind e shqiptarëve iu përgjigjen thirrjes tonë dhe refuzuan farsën, refuzuan regjimin e Edi Ramës. U bënë pjesë e shumicës “Rama ik”..





















