VJENË, 5 gusht /ATSH-AFP/ – Autoriteti Austriak i Transporteve njoftoi sot se do të hiqte dorë nga përhapja e aromave të ndryshme në metro, masë që ishte larg dakordësisë mes përdoruesve në përfundim të një periudhe prove.
Nga limoni dhe agrumet për energjinë, nga santali për humorin e mirë, trëndafili dhe shalqiri për relaksimin, kompania ”Wiener Linien” kishte përhapur në formë eksperimentale një gamë aromash në dy linja metroje në muajin korrik.
“Por, pas një muaji prove, vendimi i përdoruesve ka qenë në pjesën më të madhe kundër kësaj iniciative, me 21 000 vota kundër nga 16 000 pro, sipas një pyetësori në internet”, theksoi autoriteti.
“Në realitet duket se vjenezet dhe vjenezët janë të kënaqur me aromën e metrosë”, theksoi kompania ”Wiener Linien”, që është vazhdimisht në kërkim të ideve të reja për promovimin e transportit publik, i cili jep një kontribut vendimtar për mbrojtjen e klimës.
Vitin e kaluar, autoriteti kishte vendosur me sukses ndalimin e konsumimit të ushqimit në metro pasi shumë përdorues të metrosë ishin ankuar nga përhapja e aromave të picave apo qebapit.
I njohur botërisht për pastërtinë dhe besueshmërinë, rrjeti i transportit urban të Vjenës përdoret çdo ditë nga 2,6 milionë udhëtarë./ /ec/ a.jor.























