Ballina Ekonomi

27 nxënësit e trajnuar nga “Stanford University”, Balluku: Shtojmë kapacitetet, projekti vazhdon

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Shkolla verore 3-vjeçare “Shkenca Kompjuterike dhe Mentalitet Krijues” nga ku 27 nxënës shqiptarë patën mundësinë të trajnohen dhe të punojnë nën monitorimin e instruktorëve të ardhur nga Stanford University SHBA, do të vijojë edhe në të ardhmen.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja  e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila zhvilloi një takim me nxënësit shqiptarë, pjesë e kësaj shkolle, ku u njoh edhe me një pjesë të punimeve që ata kanë zhvilluar gjatë tri javëve të leksioneve dhe praktikave që kanë zhvilluar.

“Ne e shikojmë këtë projekt si hapi i parë për ta kthyer në një institucion, për të zyrtarizuar këtë shkollë verore dhe sigurisht për të rritur edhe numrin e pjesëmarrësve. Ndoshta në të ardhmen do ketë nevojë edhe për një proces konkurrimi. Ky proces nuk mund të përfundojë me këtë shkollë verore dhe vitin tjetër të mos kujtohet më njeri për këtë. Apo të jenë përpjekje individuale që i bashkon vetëm dëshira e mirë. Kjo ka nevojë për infrastrukturën shtetërore për t’u mbështetur dhe pse jo në të ardhmen edhe me bursa”, nënvizoi ministrja Balluku.

Ministrja pati edhe një bashkëbisedim me prindërit e nxënësve, me të cilët ka ndarë mendimin e përbashkët për rëndësinë e kësaj iniciative, që iu vjen në ndihmë nxënësve shqiptarë të apasionuar drejt teknologjisë.

“Ne na bën shumë krenar fakti që të rinjtë shqiptarë të kthehen në Shqipëri me një projekt dinjitoz, na bën krenar fakti që Code X zgjodhi Shqipërinë për ta sjellë këtë projekt. Kjo iniciativë sot merr një formë më të qëndrueshme për të vazhduar në vitet e ardhshme akoma dhe më e strukturuar dhe akoma me mbështetje më të madhe përsa i përket studentëve edhe duke gjetur nxënës të cilët kanë kapacitete që në të ardhmen të kthehen me të vërtetë në kapitale të vlefshme njerëzore”, u shpreh Balluku.

Ky program  i cili mbështetet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka për qëllim të udhëheqë të rinjtë drejt fushës së teknologjisë ndërsa është një iniciativë e sjellë nga studentë shqiptarë të cilët kanë studiuar në Universitetin e Stanfort dhe punojnë në Silicon Valley.

Duke vlerësuar iniciativën e të rinjve shqiptarë që sollën në Shqipëri CODE for ALBANIA, ministrja Balluku, garantoi mbështetjen e Ministrisë që drejton me qëllim vijueshmërinë e këtij projekti por edhe duke zgjeruar kapacitetet për t’u dhënë mundësi më shumë nxënësve që të bëhen pjesë e të përfitojnë.

Shkolla verore nisi në datën 20 korrik deri në 2 gusht, për të vijuar përgjatë gjithë vitit, fundjavave. Gjatë leksioneve dhe praktikave nxënësit do kenë mundësinë të lidhen me një rrjet instruktorësh që studiojnë dhe punojnë në një nga qendrat më të rëndësishme për inovacionin e teknologjive të komunikimit dhe informacionit. z.tosku/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Pushime dhe art, Teatri i Kukullave zbret në Vlorë
Artikulli tjetërSpiro Duni: Ndërtimi i teatrit të ri, emergjencë kombëtare në këtë atdhe zhurmëmadh