TIRANË, 1 gusht/ATSH/-Nxënësit e shkollës së mesme profesionale në Shkodër “Peter Mahringer” për vitin shkollor 2019-2020 do të përfitojnë bursa.
Këshilli i Ministrave vendosi që të akordojë 84 bursa nga të cilat 24 bursa studimi për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 bursa studimi për nxënësit nga viti i parë deri në vitin e katërt të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, për vitin shkollor 2019-2020.
Sipas vendimit, vlera vjetore e bursës do të jetë 92 820 lekë për nxënës, me qëllim shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore.
Vlera e masës së bursës do të paguhet pranë bankave të nivelit të dytë për çdo nxënës/prind/përfaqësues ligjor të nxënësve përfitues.
Fondi për mbulimin e këtyre bursave kalon nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, Shkodër.
Ndërkaq në vendim sqarohet se miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i Fondacionit Shkollor Austriak, në mbështetje të kritereve ekonomike, si dhe të rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. z.tosku/























