TIRANË, 18 korrik /ATSH-A.ALLA/ – “Vitet e fundit janë shtuar shumë rastet e shantazhimit të vajzave dhe grave nëpërmjet kërcënimit të publikimit të fotove dhe videove intime me qëllim për t’u hakmarrë apo për të shkaktuar ankth dhe pasiguri tek ato. Meqë ky është moment që ne po ndryshojmë Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, e shohim të nevojshme këtë ndërhyrje me qëllim luftimin dhe dënimin e këtij fenomeni”, – tha deputetja e Partisë Socialiste Evis Kushi gjatë seancës së sotme parlamentare.
Kushi tha se, “për ta hartuar sa më mirë këtë amendament ne jemi referuar legjislacionit të disa vendeve të ndryshme europiane, Italia, Franca etj.”.
“Duke marrë në konsideratë dëmtimet e mëdha psikologjike, emocionale apo dhe shkaktimin në disa raste dhe të vetëvrasjes, me anë të këtij amendamenti propozohet që në Kodin Penal të shtohet një figurë e veprës penale që e kriminalizon këtë fenomen”, – tha Kushi.
“Amendamenti parashikon rrethana rënduese, pra dënime më të rrepta në rastet kur cilësia e subjektit të veprës penale është bashkëshorti ose bashkëjetuesi”, – përfundoi deputetja Kushi.























