PHENIAN, 16 korrik /ATSH-AFP/ – Koreja e Veriut paralajmëroi sot se manovrat e mundshme ushtarake mes Uashingtonit dhe Seulit mund të kenë pasoja në rimarrjen e njoftuar të bisedimeve me SHBA-në, duke lënë të kuptohet se mund të tërheqë moratoriumin e saj mbi testet balistike dhe bërthamore.
Kjo është deklarata e parë koreanoveriore mbi manovrat ushtarake që kur Donald Trump dhe Kim Jong Un ranë dakord muajin e kaluar, gjatë një takimi të papritur në Zonën e Demilitarizuar që ndan gadishullin, për rifillimin bisedimeve bërthamore pas një bllokimi disa mujor.
SHBA-ja dhe Koreja e Jugut organizojnë këto manovra ushtarake të përbashkëta prej vitesh, megjithatë shkalla e tyre është reduktuar për të lehtësuar dialogun me Korenë e Veriut pas samitit historik në Singapor mes presidentit amerikan dhe liderit koreanoverior në qershor 2018. /G.S/























