Ballina Flash

Çlirimi i Kurveleshit, përkujtohen dëshmorët e Luftës në varrezat e Kuçit

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ – Në fshatin Kuç të Vlorës është përkujtuar çlirimi i zonës së Kurveleshit. Në ceremoninë për nderimin e 92 dëshmorëve në varrezat e Kuçit, morën pjesë dy kryebashkiakët e Vlorës dhe Himarës, Dritan Leli dhe Jorgo Goro.

Kryebashkiakët të shoqëruar dhe nga veteranë zhvilluan homazhet e rastit në varrezat e dëshmorëve të fshatit të konsideruar si zemra e Labërisë.

Veteranët dhe kryebashkiakët vendosën kurora dhe shprehën mirënjohje për 92 të rënët e Kuçit në betejën çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Festojmë ditën e Çlirimit të Kurveleshit që është më 25 qershor. Sot jemi mbledhur në këtë vend simbolik në varrezat e dëshmorëve të Kuçit. Përkujtojmë këtu atë ditë të shënuar ku bijtë dhe vajzat e Kurveleshit dhanë jetën për të çliruar këtë vend”, – tha kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro.

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli u shpreh se, “varrezat e Kuçit janë simbol i qëndresës, që kanë bërë këta njerëz duke vendosur më të shtrenjtën gjë, jetën e tyre, në themelet e Shqipërisë moderne. Që fëmijë, në çdo qershor unë vij këtu në varrezat e Dëshmorëve në Kuç për të respektuar të rënët”.

25 qershori, dita e Çlirimit të Kurveleshit është ditë e shënuar për trevën e Labërisë, ditë e cila përmendet në histori për rezistencën dhe kryengritjen e gjithë banorëve të kësaj treve malore. /a.a/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Ritme argjentinase dhe tango në teatrin “Skampa”
Artikulli tjetërMJEKËSI – Produktet kozmetike dëmtojnë mijëra fëmijë