Ballina Aktualitet

Braçe: Voltana Ademi një keqbërëse që po i vë zjarrin shkollave të Shkodrës, të përballet me ligjin

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ – Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në shkollën “Shejnaze Juka”, ku një grup personash i vunë flakën KZAZ-së, duke dëmtuar materialet zgjedhore.

Braçe shprehet se kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka shkelur ligjin dhe është njeriu që i ka bërë më shumë dëm Shkodrës në këto 30 vitet e fundit.

Duke publikuar një urdhër të firmosur nga kryebashkiakja e PD, Braçe thekson se ajo e ka shpallur veten pronare të shkollave në Shkodër, ndaj dhe sipas tij, duhet të përballet me ligjin.

“Voltana Ademi është një keqbërëse! Voltana Ademi është një shkelëse e ligjit! Voltana Ademi është njeriu që i ka bërë dëm më shumë se kushdo tjetër Shkodrës në 30 vitet e fundit! Voltana Ademi po i vë zjarrin shkollave të Shkodrës!”, thekson Braçe.

“Shiheni urdhrin e saj! Lexojeni! Ka shpallur veten pronare të shkollave në Shkodër dhe kërkon që aty të mos shkelin administratorët e zgjedhjeve, emëruar në detyrë në përputhje me ligjin e Kushtetutën! Pas këtij akti të saj, pason djegia e shkollave, e para shkolla ‘Shejnaze Juka’!”, shprehet Braçe.

Braçe shton se, “Voltana Ademi duhet të përballet me ligjin, bashkë me çdo barbar zjarrvënës, punonjës i saj apo i partisë së saj! Kurrë, kush nuk ka djegur shkolla në Shkodër, veç pushtuesit! Prej asaj kohe, e dyta që e bën këtë është Voltana Ademi dhe barbarët e saj”.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEKNOLOGJI – FB hedh në treg kriptovalutën
Artikulli tjetërTatimet udhëzojnë ndërtuesit mbi zbatimin e TVSH-së