Protestat mund të integrohen në paketën tonë turistike

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ “Nuk janë njerëzit të ngritur në revoltë, janë skenarë politikë dhe protestat mund të integrohen në paketën tonë turistike, sepse zhvillohen si koncertet të shtunave në orën 20:00, pra, nëse do të shohësh një protestë, prenoto një vend aty rrotull. Nuk është i tërë vendi në flakë, vijnë disa veta te bulevardi kryesor, hedhin ca gurë e molotov, por, nëse mban një distancë të sigurt, mund ta shijosh dhe nuk e gjen tani nëpër Europë këtë”.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama, ndërsa iu drejtua sot forumit mbi Ballkanin Perëndimor, organizuar nga prestigjiozja Financial Times, me temë: “Mundësia e investimit në një rajon me rritje të shpejtë”.

Ai theksoi se Shqipëria ka popullin më proeuropian. “Kur e sheh Shqipërinë sot, në foto, nuk mendon s’është vend për investime apo për pushime, sepse është në fakt”, theksoi Rama, duke shtuar se në Shqipëri nuk janë janë njerëzit të ngritur në revoltë, janë skenarë politikë.

“Pra, ejani në Shqipëri e investoni. Ne e kemi pjesë të traditës sonë, nga Kushtetuta jonë e parë, Kanuni ka një rresht shumë të fuqishëm, i cili ka përcaktuar marrëdhëniet tona me të huajt dhe gjithashtu bukurinë e vendit për çdo të huaj. “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, që do të thotë se nëse je i shtëpisë dhe jo mik, mund të futesh në telashe, por, nëse je mik, nuk ke kurrë telashe. Investitorët vendorë mund të kenë probleme, por investitorët e huaj jo, janë miq, janë Zot. Prandaj, ejani. Ka edhe shumë gjëra të tjera shumë të bukura. Nuk është Gjermania apo Zvicra, por, nëse nuk doni të mërziteni dhe doni eksperienca emocionuese, ejani tek ne”, tha Kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.